Ushqimet e para të bebes: kur dhe si t’ia filloni
Rreth 6 muajsh, me tri shenja gatishmërie: si t’i jepni bebes ushqimet e para të ngurta, çfarë të shmangni deri në një vjeç dhe çfarë të bëni me këshillat e familjes.
5 min lexim
Në këtë artikull
Ushqimet e ngurta fillojnë rreth moshës 6 muajsh. Deri atëherë, qumështi i gjirit ose formula i mjaftojnë bebes plotësisht, pa ujë, çaj apo lëngje. Edhe pasi fillon të hajë, qumështi mbetet ushqimi kryesor gjatë vitit të parë, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që gjidhënia të vazhdojë deri në 2 vjeç ose më gjatë, nëse ju dhe bebja e dëshironi.
Tri shenjat që bebja është gati
Shikoni që të tria të jenë bashkë, jo vetëm njëra:
- Rri ulur me kokën të qëndrueshme, edhe nëse e mbani pak.
- Kap ushqimin me sy dhe me dorë dhe e çon vetë në gojë.
- E gëlltit, në vend që ta shtyjë jashtë me gjuhë.
Zgjimi më shpesh natën, thithja e grushtit ose interesi kur hani ju nuk janë shenja që bebja ka nevojë për ushqim të ngurtë. Janë sjellje normale në këtë moshë.
Javët e para, hap pas hapi
-
1
Filloni me pak
Një ose dy lugë, një herë në ditë, në një orë kur bebja nuk është as shumë e uritur, as e lodhur. Jepini gjirin ose biberonin si zakonisht.
-
2
Perimet përpara
Kungull, karotë, patate e ëmbël, brokoli, spinaq: të ziera dhe të shtypura. Perimet me shije pak të hidhur e mësojnë bebën me shijet që përndryshe mund t’i refuzonte më vonë.
-
3
Shtoni shumëllojshmëri
Fruta të buta, drithëra, mish e peshk i grirë imët, bishtajore, vezë të gatuara mirë dhe kos i thjeshtë, pa sheqer.
-
4
Nga pureja te copat
Sa më shpejt, kaloni nga pureja e lëmuar te ushqimi i shtypur me pirun dhe te copat e buta që bebja i mban vetë në dorë.
-
5
Rriteni gradualisht
Nga 6 deri në 8 muaj, 2 deri në 3 vakte në ditë. Nga 9 muaj, 3 deri në 4 vakte, plus një ose dy vakte të vogla nëse ka uri.
Mos u dorëzoni pas refuzimit të parë
Një bebe mund të ketë nevojë të provojë një ushqim 10 herë ose më shumë para se ta pranojë. Fytyra e çuditur nuk do të thotë “nuk më pëlqen”, por “kjo është e re”. Ofrojeni përsëri, pa e detyruar. Kur bebja kthen kokën, mbyll gojën ose shtyn lugën, ka ngrënë mjaft.
Deri në një vjeç, pa këto
- Mjaltë. Edhe një lugë e vogël, edhe për kollën. Mund të shkaktojë botulizëm, një helmim i rrallë, por i rrezikshëm për bebet nën 12 muaj.
- Kripë. As në supë, as në pure. Veshkat e bebes nuk e përballojnë dot. Kujdes edhe me djathin e kripur, kubet e supës dhe mishrat e përpunuar.
- Sheqer. As në kos, as në çaj, as në qumësht. Mësohet me shijen e ëmbël dhe dëmton dhëmbët që sapo dalin.
- Qumësht lope si pije kryesore. Mund të përdoret në gatim nga 6 muaj, por si pije zëvendëson gjirin ose formulën vetëm pas 12 muajsh.
- Arra dhe kikirikë të plotë. Rrezik mbytjeje deri në 5 vjeç. Jepini të bluara imët ose si krem.
- Vezë të papjekura mirë dhe djathëra nga qumësht i papasterizuar.
Kujdes nga mbytja
- Bebja të hajë gjithmonë ulur drejt dhe me ju pranë.
- Rrushin, domatet qershi dhe ullinjtë pritini për së gjati, në katërsh.
- Mos i jepni copa të forta, si karotë e gjallë ose mollë e paqëruar.
Kollitja dhe refleksi i të vjellit janë normale ndërsa bebja mëson të përtypë: janë të zhurmshme dhe fytyra skuqet. Mbytja është e heshtur: bebja nuk qan dot dhe buzët mund të nxihen. Në atë rast, kërkoni ndihmë dhe telefononi 127. Një kurs i ndihmës së parë për bebet ia vlen para se të filloni.
Këshillat që do të dëgjoni
“Jepi pak çaj kamomili, se ka etje.” Para 6 muajsh bebja nuk ka nevojë për asnjë pije tjetër përveç qumështit. Pas 6 muajsh, jepini ujë në gotë me vaktet.
“Fute pak bukë në biberon, që të flejë gjatë.” Drithërat në biberon rrisin rrezikun e mbytjes dhe nuk e bëjnë bebin të flejë më shumë.
“Pak mjaltë për fytin.” Jo para një vjeç, siç u tha më lart.
“Është i dobët, duhet t’i japësh më shumë.” Nëse bebja rritet mirë sipas kontrolleve te pediatri, bebja e di vetë sa i duhet.
Pyetje të shpeshta
Në cilin muaj fillojnë ushqimet e para të bebes?
A mund t’i jap mjaltë bebes?
Kur mund të pijë bebja qumësht lope?
A i duhet ujë bebes?
Burime të konsultuara
- OBSH: Infant and young child feeding
- NHS: How to start weaning your baby
- NHS: Choking and gagging on food
Ky artikull është shkruar nga redaksia e mam.al dhe jep informacion të përgjithshëm. Nuk zëvendëson këshillën e mjekut ose të pediatrit. Përmban informacion të sektorit publik të licencuar sipas Open Government Licence v3.0.