Refluksi te bebja: kur nxjerrja e qumështit është normale
Pse shumë beba nxjerrin qumësht pas ushqyerjes, çfarë ndihmon, çfarë nuk duhet bërë dhe kur të shkoni te pediatri.
4 min lexim
Në këtë artikull
Shumica e bebeve nxjerrin pak qumësht gjatë ose pas ushqyerjes. Kjo quhet refluks dhe ndodh sepse muskuli në fund të ezofagut, që e mban qumështin në stomak, është ende i dobët. Zakonisht fillon para moshës 8-javëshe dhe kalon vetë deri në 1 vjeç, kur muskuli forcohet.
Nëse bebja është e qetë, ushqehet mirë dhe shton peshë, refluksi nuk është sëmundje dhe nuk ka nevojë për ilaç. Një çarçaf i lagur pas çdo ushqyerjeje është i bezdisshëm, jo i rrezikshëm.
Si duket
- nxjerr qumësht ose vjell gjatë ose pak pas ushqyerjes
- kollitet ose i zë lemza kur ushqehet
- shqetësohet gjatë ushqyerjes
- gëlltit shpesh ose me zhurmë pas gromësirës ose ushqyerjes
- qan dhe nuk qetësohet
Ndonjëherë bebja ka këto shenja pa nxjerrë qumësht. Ky quhet refluks i heshtur.
Çfarë ndihmon
-
1
Mbajeni drejt
Gjatë ushqyerjes dhe sa më gjatë që të mundeni pas saj, mbajeni bebin në pozicion të drejtë.
-
2
Gromësira gjatë ushqyerjes
Bëjini gromësirë disa herë gjatë ushqyerjes, jo vetëm në fund.
-
3
Kontrolloni mënyrën e ushqyerjes
Nëse ushqeni me gji, kërkoni ndihmë për pozicionin dhe kapjen e gjirit. Nëse ushqeni me biberon, kontrolloni sasinë dhe vrimën e thithkës.
-
4
Gjumi në shpinë, në sipërfaqe të sheshtë
Bebja fle gjithmonë në shpinë, edhe me refluks. Mos e ngrini kokën e krevatit dhe mos vendosni jastëk poshtë.
Çfarë nuk duhet bërë
- Mos e shtrini në bark ose në krah për ta vënë në gjumë “që të mos mbytet”. Bebja e shëndetshme që fle në shpinë e mbron vetë rrugën e frymëmarrjes. Gjumi në bark e rrit rrezikun e vdekjes së papritur. Lexoni te gjumi i sigurt i bebes.
- Mos i jepni çaj, ujë me sheqer ose kamomil bebes nën 6 muaj për ta qetësuar stomakun. I zë vend qumështit dhe nuk e shëron refluksin.
- Mos ndërroni formulën vazhdimisht pa folur me pediatrin. Shpesh nuk ndihmon dhe e vështirëson gjetjen e shkakut.
- Mos i jepni ilaçe për acidin pa recetë.
Kur të shkoni te pediatri
Lini një vizitë nëse bebja:
- nuk përmirësohet pasi keni provuar masat e mësipërme
- fillon të ketë refluks për herë të parë pas moshës 6-muajshe
- ka mbushur 1 vjeç dhe ka ende refluks
- nuk shton peshë ose humbet peshë
Pediatri mund të kontrollojë për alergji ndaj proteinës së qumështit të lopës, që i ngjan refluksit. Për bebet me formulë mund t’ju këshillojë formulë më të trashë. Ilaçet përdoren vetëm kur këto nuk ndihmojnë.
Kërkoni ndihmë urgjente
Shkoni menjëherë te mjeku ose telefononi 127 nëse bebja:
- vjell të gjelbër, të verdhë ose me gjak
- vjell me forcë, në hark larg
- ka gjak në jashtëqitje
- ka bark të fryrë ose që i dhemb kur e prekni
- ka temperaturë të lartë, ose dridhet
- vjell vazhdimisht dhe nuk mban dot lëngje, ose ka shenja dehidratimi. Shihni te diarreja dhe të vjellat te bebja
- refuzon ushqimin ose qan pa pushim dhe është shumë e shqetësuar
Pyetje të shpeshta
Sa qumësht mund të nxjerrë bebja pa pasur arsye për shqetësim?
A duhet ta shtrij bebin pak të ngritur?
Kur kalon refluksi?
Burime të konsultuara
- NHS: Reflux in babies
Ky artikull është shkruar nga redaksia e mam.al dhe jep informacion të përgjithshëm. Nuk zëvendëson këshillën e pediatrit. Përmban informacion të sektorit publik të licencuar sipas Open Government Licence v3.0.