Rikuperimi pas cezarianes: javët e para
Çfarë të prisni në spital dhe në shtëpi pas një cezariane: kujdesi për plagën, ecja, peshat, gjidhënia dhe shenjat që duan mjekun menjëherë.
4 min lexim
Në këtë artikull
Cezariania është një operacion i madh në bark, dhe pas tij keni njëkohësisht një bebe të porsalindur për t’u kujdesur. Shumica e grave dalin nga spitali 1 deri në 2 ditë pas operacionit. Dhimbja zakonisht është më e fortë në ditët e para, por te disa gra zgjat disa javë.
Ditët e para
- Ngrihuni dhe ecni sa më shpejt që t’ju lejojnë. Ecjet e shkurtra ulin rrezikun e mpiksjes së gjakut në këmbë.
- Ilaçet kundër dhimbjes merrini rregullisht, jo vetëm kur dhimbja bëhet e fortë. Pyesni mjekun cilat lejohen gjatë gjidhënies.
- Gjidhënia mund të nisë sapo të jeni gati. Cezariania nuk ju pengon të ushqeni me gji. Shtrirë anash, ose me bebin nën sqetull, bebja qëndron larg plagës.
- Kur kolliteni ose qeshni, mbani një jastëk mbi plagë.
- Gjakderdhja nga vagina është normale edhe pas cezarianes. Përdorni peceta, jo tampona.
Në shtëpi, javët e para
-
1
Plaga
Pastrojeni dhe thajeni butësisht çdo ditë. Vishni rroba të gjera dhe të brendshme pambuku. Penjtë që nuk treten zakonisht hiqen pas 5 deri në 7 ditësh.
-
2
Peshat
Mund të mbani bebin, por asgjë më të rëndë. Kovat me ujë, çantat e pazarit, karrocën dhe fëmijën më të madh le t’i mbajë dikush tjetër.
-
3
Ecja
Bëni çdo ditë ecje të shkurtra. Ushtrimet e forta lërini derisa t’i bëni pa dhimbje.
-
4
Makina
Mos e drejtoni makinën për disa javë. Pyesni mjekun kur jeni gati, dhe kërkoni që dikush t’ju marrë nga spitali.
-
5
Marrëdhëniet
Kur të ndiheni gati dhe nuk ju dhemb, shpesh rreth 6 javë pas lindjes. Flisni me mjekun për kontracepsionin.
Lehonia dhe ndihma e familjes
Tradita e 40 ditëve, kur nëna pushon dhe të tjerët kujdesen për shtëpinë, pas cezarianes vlen më shumë se kurrë. Pranoni ndihmën për gatimin, larjen dhe pazarin, dhe lëreni bebin në krahët tuaj. Por pushimi nuk do të thotë të rrini shtrirë gjithë ditën: ecja e lehtë çdo ditë është pjesë e shërimit.
Shkoni te mjeku menjëherë nëse keni
- dhimbje të fortë
- gjakderdhje të madhe nga vagina
- rrjedhje urine ose dhimbje kur urinoni
- plagë që skuqet, ënjtet ose dhemb më shumë
- qelb ose rrjedhje me erë të keqe nga plaga
- kollë ose frymëmarrje të vështirë
- ënjtje ose dhimbje në pulpën e këmbës
- temperaturë 38°C ose më shumë
Këto mund të jenë shenja infeksioni ose mpiksjeje gjaku. Nëse keni dhimbje gjoksi ose nuk merrni dot frymë, telefononi 127. Shenjat e tjera që vlejnë për çdo nënë pas lindjes i gjeni te shenjat e rrezikut në shtatzëni dhe pas lindjes.
Pyetje të shpeshta
A duhet që lindja e ardhshme të jetë patjetër me cezariane?
A mund të ushqej me gji pas cezarianes?
Kur mund ta lag plagën?
Burime të konsultuara
Ky artikull është shkruar nga redaksia e mam.al dhe jep informacion të përgjithshëm. Nuk zëvendëson këshillën e mjekut ose të mamisë. Përmban informacion të sektorit publik të licencuar sipas Open Government Licence v3.0.